Prishtina mbrëmë është tronditur nga të shtënat me armë zjarri që u dëgjuan në rrugën “Rrustem Hyseni”, ku për pasojë një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur. Ani pse kanë kaluar më shumë se 12 orë që kur ka ndodhur krimi, ende nuk ka asnjë të arrestuar në lidhje me këtë rast.
Kosovalive ka raportuar ekskluzivisht se viktima e këtij rasti është 62-vjeçari, Naser Gashi, i cili përpos që dyshohet se u qëllua me armë, u raportua se u godit edhe me thikë në gjoks.
Ndërkaq, personi që ka mbetur i plagosur është 41-vjeçari, Miftar Miftari.
Gazeta Kosovalive po ashtu ka raportuar se i dyshuari në lidhje me këtë rast është Alban Gashi.
I dyshuari siç merr vesh Gazeta Kosovalive ka të kaluar kriminale dhe siç mësohet ka pasur edhe më herët probleme me Miftar Miftarin.
Në momentin e krimit, Alban Gashi, dyshohet se ka qenë i shoqëruar edhe me se paku një person tjetër.
Mirëpo, ani pse kanë kaluar më shumë se 12 orë që kur ka ndodhur krimi, i dyshuari Alban Gashi, vazhdon të jetë ende në arrati.
“Nuk ka asnjë të arrestuar për rastin. Prokurori i Shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me organet e Policisë janë duke ndërmarrë masa dhe veprime të nevojshme hetimore mbi këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Ndërkaq, në media tashmë është publikuar edhe fotografia e të dyshuarit Alban Gashi.

Alban Gashi
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.