Vlora Çitaku ka reaguar përsëri me arsyetimin që dha Qeveria për videon e Albin Kurtit i cili ra në “prankun” e blogerëve rusë.
Postimi i plotë:
Edhe një herë, nuk është skandali që Kryeministri ra në grackë – ndodh edhe në filmat komikë.
Skandali i vërtetë është ÇFARË u tha në atë bisedë. Mjerim intelektual, turp politik.
Pastaj, me një fytyrë të qetë, qeveria mundohet të na bindë se “kishin shumë telefonata” pas zgjedhjeve. U lodhën duke u uruar liderët botërorë, e nuk patën kohë të verifikojnë një telefonatë nga Presidenti i Letonisë.
Le ta zëmë se kjo është e vërtetë. Hajde t’u besojmë për një moment. Atëherë: Cilët liderë ju kanë uruar?
Publikojeni një emër, një screenshot, një “thank you call”.
S’e bëni dot. E dimë pse: se askush nuk ju ka uruar. Po t’ju kishin uruar, do të kishim parë foto, video, tupan, ndonjë “breaking” në prime time.
Por të kthehemi te biseda – se aty është thelbi:
Shanë opozitën, shanë mediat, shanë bizneset. Madje edhe administratën amerikane.
Pastaj fillojnë komentet për orientimin seksual të Richard Grenell – një nivel i ulët që as trollerët më të zellshëm të internetit s’do ta preknin.
Flet për Afganistanin, Ukrainën, Talibanët – si në një ese që nuk kalon as klasën e tetë.
Në fund të ditës, kemi një lider që nuk bie në kurth – ai është vetë kurthi për seriozitetin politik.
Gjeniu i vogël, që nuk e di as me kë po flet, por e di mirë kë don të shajë.
