Live

Fëmijët me aftësi të kufizuara mbetin pa asistentë, Qehaja: Problem përfshirja e tyre në shkollim

11:47 / 06 Prill 2025

Nga Kosova Live

Mungesa e asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuar është një problem i madh që po ndikon negativisht në përfshirjen e këtyre fëmijëve në shkolla, vlerësoi njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja.

Qehaja tha se trendi në rritje i numrit të fëmijëve me aftësi të kufizuar kërkon një reagim të fuqishëm institucional, duke theksuar se përkrahja duhet të shkojë përtej asistenteve.

Sipas tij, është e domosdoshëm edhe një subvencionim për familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara, si dhe përmirësimi i kushteve infrastrukturore në shkolla.

“Mungesa e asistentëve është problem në vete, por edhe trendi në rritje i fëmijëve me aftësi të kufizuara po ashtu është në rritje, që do ta na rikthehet si problem në rritje që meriton një vëmendje dhe reagim shumë të fuqishëm institucional, që mund të na kufizojë në numrin e asistentëve. Shkon përtej saj, shkon në përkrahjen që shkolla na ofron për fëmijët, kushtet infrastrukturore, në mënyrë që mund të na garantohet gjithëpërfshirja e barabartë në çdo ambient dhe në çdo shkollë”, tha Qehaja.

Ai shtoi se shumë fëmijë me aftësi të kufizuar e kanë të domosdoshme përkrahjen në seanca edhe jashtë shkollës dhe është e domosdoshëm një subvencionim i familjeve.

“Fatkeqësisht kushtet jo të mira, mungesa e asistentëve është problem që i cenon edhe ata të gjithë në të ardhmen e tyre brenda arsimit, por edhe më gjerë”, u shpreh ai për Ekonomia Online.

Qehaja theksoi se kjo çështje duhet të marrë vëmendjen e duhur për të garantuar arsim të barabartë për të gjithë fëmijët, duke përfshirë edhe ata me aftësi të kufizuar dhe të krijohen mekanizma që sigurojnë përfshirjen e tyre të plotë në sistemin arsimor.

“Një statistikë të saktë nuk kemi pasi që raporti nuk është çdoherë i sinqertë. Nuk është problem numri i fëmijëve në shkolla, por kapaciteti i shkollave”, tha Qehaja.

Shpërndaje në

U Kopjua