Live

Limaj pas ndërprerjes së seancës: Ishte absurde, vendi ka nevojë për institucione

16:16 / 19 Prill 2025

Nga Kosova Live

Pas dështimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe ndërprerjes së seancës konstituive, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka shprehur optimizëm për rrugëtimin institucional që ka përpara vendi.

Sipas tij, ndonëse seanca u ndërpre, procesi ka hyrë në një fazë të rëndësishme drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.

“Vendi ka nevojë që sa më shpejt t’i bëjë institucionet. Sot është bërë një hap i rëndësishëm. Ndërprerja ishte absurde. Tani ne jemi deputetë. Shpresoj që të gjithë bashkë të punojmë bashkë për ligje të mira, të përmirësojmë ligje, ta çojmë në një nivel tjetër demokracinë kosovare”, ka deklaruar Limaj pas përfundimit të seancës.

Ai ka theksuar se beson në vullnetin e deputetëve për të përmbyllur procesin dhe për të ecur përpara drejt funksionalizimit të institucioneve.

“Jam i bindur që deputetët do të gjejnë rrugë për hapa tjerë. Kemi hy në fazën e konstitutimit të Kuvendit dhe besoj që edhe pjesët e papërfunduara shumë shpejt do të përfundojnë, dhe mbetet që sipas ligjit dhe kushtetutës të konstituohet Kuvendi dhe qeveria”, shtoi ai.

Shpërndaje në

U Kopjua