Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, po thotë se rikthimi i një kandidature që nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme në seancat e mëparshme, bie ndesh me nevojën për ta konstituuar kuvendin sa më parë.
Në një reagim të tij, ai thotë se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje, të angazhohet në dialog me grupet parlamentare për një kandidat që ka shumicën, e të mos mbajë peng krijimin e institucioneve të reja, transmeton klankosova.tv.
”E drejta e partisë së parë për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit nuk nënkupton të drejtën për ta imponuar atë, veçanërisht kur nuk ka shumicën parlamentare. Është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje që të angazhohet në dialog me të gjitha grupet parlamentare për të identifikuar një kandidat që gëzon përkrahjen e nevojshme të shumicës së deputetëve.
Rikthimi i një kandidature që nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme në seancat e mëparshme bie ndesh me nevojën për ta konstituuar Kuvendin sa më parë. Deputetët e partive të tjera kanë të drejtën e tyre kushtetuese dhe politike për të pranuar ose refuzuar kandidaturat e propozuara”.