Drejtori i Institutit Demokratik Ismet Kryeziu ka thënë se bllokimi i seancës konstituive po ndodh për shkak të mungesës së vullnetit politik.
Kryeziu shtoi se meqë ligji nuk parasheh afat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nuk duhet të zvarritet deri në pafundësi.
”Fakti që nuk ka afate të përcaktuara qartë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk e justifikon zvarritjen e procesit në pafundësi — përkundrazi, dëshmon se klasa politike po e shfrytëzon këtë vakum ligjor për interesa të ngushta”, ka shkruar Kryeziu.
Postimi i plotë:
Përplasjet dhe bllokimet në konstituimin e Kuvendit nuk po vijnë më nga paqartësitë ligjore, por nga mungesa e vullnetit politik për zgjidhje. Problemi ka qenë dhe tani ka marrë formë të qartë, problem thellësisht politik.
Situata e tanishme nuk është më as çështje procedurale, e as kushtetuese, të paktën jo në thelb. Interpretimet ligjore dhe kërkesat për sqarime kushtetuese janë shndërruar më tepër në mjete për të fshehur krizat e pastërta politike, sesa në përpjekje për të plotësuar vakumin ligjor apo kushtetues.
Fakti që nuk ka afate të përcaktuara qartë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk e justifikon zvarritjen e procesit në pafundësi — përkundrazi, dëshmon se klasa politike po e shfrytëzon këtë vakum ligjor për interesa të ngushta.
Është koha të rritemi politikisht — jo vetëm partitë, por edhe shoqëria në tërësi. Të kërkojmë llogaridhënie, të mos e normalizojmë ngërçin institucional e politik, dhe të mos i shohim më ndërhyrjet ndërkombëtare si garanci apo si të vetmen mundësi për të konstituar institucionet dhe për të bërë shtetin funksional.