Live

Abdixhiku kujton Racin në 24-vjetorin e vrasjes: U munduan t’ia ndalin hapin, por kurrë nuk e zhdukën idealin e tij

10:01 / 24 Prill 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar ish-kryetarin e komunës së Klinës dhe veprimtarin e orëve të para të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Rraci, në 24-vjetorin e vrasjes së tij.

Abdixhiku e kujtoi Racin si zë të fuqishëm i lirisë në kohët më të errëta, si shtyllë e parë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, një mik i ngushtë dhe besnik i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, dhe si një nga themelet e para të shpresës për një Kosovë të lirë e demokratike, transmeton Klankosova.tv.

“Lavdi jetës dhe veprës së Ismet Rracit – veprimtarit që e deshi Kosovën më shumë se jetën! 24 prilli na rikthen tek një nga plagët e hapura të Kosovës – humbjen e njërit ndër veprimtarëve më të mirë të saj, Ismet Rracin. Në këtë 24-vjetor të vrasjes së tij, Ismet Rracin e kujtojmë me dhimbje, por edhe me krenari të thellë për gjithçka që ai përfaqësonte”, u shpreh Abdixhiku.

Tutje, i pari i LDK-së thotë se Raci u vra pabesisht rrugës drejt shtëpisë së tij, duke u munduar t’ia ndalnin hapin, mirëpo sipas tij, nuk mundën t’ia zhdukin asnjëherë idealin e tij.

“Ai nuk u tërhoq asnjëherë përballë sfidave. Me guxim, mençuri dhe vizion të pastër, themeloi Degën e LDK-së në Klinë dhe iu përkushtua me gjithë jetën e tij ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për vendin tonë. Pas luftës, qytetarët e Klinës ia besuan udhëheqjen e komunës, duke e zgjedhur kryetar. Dhe ai, si gjithmonë, shërbeu me dinjitet e me përgjegjësi të lartë. Por më 24 prill 2001, në një akt tinëzar që na tronditi të gjithëve, ai u vra pabesisht, në rrugën drejt shtëpisë së tij. Ata deshën të ia ndalnin hapin, por nuk mundën kurrë ta zhdukin idealin e tij. Sepse Ismet Rraci, në rrugëtimin tonë jeton në trashëgiminë që na la pas. Vrasja e tij është një plagë e hapur për familjen, për LDK-në dhe për gjithë Kosovën”.

Sot, kujtojmë jo vetëm figurën e një udhëheqësi, por shpirtin e një njeriu që jetoi me përkushtim, me ndershmëri dhe me shumë dashuri për vendin. Lavdi përjetë jetës, veprës dhe sakrificës së veprimtarit Ismet Rraci!”

Shpërndaje në

U Kopjua