Futbollisti i grupmoshave U15 të ShF Fushë Kosovës, Belgin Jashari, më 21 prill të këtij viti është sulmuar fizikisht gjatë ndeshjes që ekipi e tij e pati ndaj ShF Arsenalit.
Sulmi ndaj Jasharit, sipas klubit, ishte i motivuar nga përkatësia etnike e lojtarit si pjesëtar i komunitetit Ashkali.
“Sulmuesi ka përdorur gjithashtu fjalor ofendues dhe gjuhë me përmbajtje të rëndë racore. Ky akt përbën shkelje të rëndë të etikës sportive, të të drejtave të njeriut dhe të vlerave që promovon futbolli si sport bashkues”.
“I bëjmë thirrje Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës, si dhe organeve kompetente, që të reagojnë menjëherë, të hetojnë rastin dhe të marrin masa konkrete ndaj personit përgjegjës, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, tha ShF Fushë Kosova në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Në lidhje me sulmin ndaj Jasharit ka reaguar edhe Rrjeti i OJQ-ve për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian dhe Luftimin e Diskriminimit Etnik.
Në deklaratën publike, Rrjeti dënon ashpër këtë akt të papranueshëm dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga ana e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës dhe nga të gjitha organet kompetente që kanë për detyrë garantimin e sigurisë dhe barazisë në sport.
Për Jasharin, Klan Kosova vitin e kaluar ka realizuar një kronikë, me anë të së cilës pati promovuar talentin e Belginit e i cili po e lufton racizmin në futboll.