Live

Abdixhiku zbuluam pllakën përkujtimore për Ismet Rracin

14:08 / 25 Prill 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se sot ka zbuluar pllakën përkujtimore për Ismet Rracin, në 24-vjetorin e vrasjes së tij.

Në një postim në Facebook, ai ka pohuar se kjo u bë në praninë e familjarëve, gruas së tij Xhemiles, djemve Albanit e Asimit.

“Kjo pllakë, pjesë e koridorit të përkujtimeve në LDK, krah Enverit, Xhemes e Nekibes, do të shërbejë si shenjë kujtimi për veprën e jashtëzakonshme të burrave e grave të shtëpisë tonë në shërbim të vendit”, ka thënë Abdixhiku.

“Më 24 prill të vitit 2001, familja Rraci humbi më të dashurin e tyre; LDK një veprimtar të pashoq të orëve të rënda; Klina një kryetar komune të zgjedhur me votë demokratike; e Kosova një atdhetar të lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci”.

“Trashëgimia politike e Ismet Rracit vazhdon të jetojë brenda Lidhjes. Atë e gjejmë sot më së miri tek tani kryetari i degës sonë në Klinë, Albani, i biri i tij!”, ka thënë Abdixhiku.

Ndër tjera, ai ka shtuar se Ismet Rraci ishte themelues i Degës së LDK-së në Klinë.

Shpërndaje në

U Kopjua