Një 30-vjeçar, Kai-Ji Adam Lo, është akuzuar me tetë pika për vrasje të shkallës së dytë pasi përplasi me makinë turmën në një festival në Vancouver, duke lënë të paktën 11 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.
Viktimat janë nga mosha pesë deri në 65 vjeç, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
Sipas policisë, Lo kishte pasur më parë kontakte me autoritetet për probleme të shëndetit mendor. Ai u arrestua në vendin e ngjarjes nga pjesëmarrësit e festivalit dhe forcat e rendit, dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.
Ngjarja ndodhi të shtunën mbrëma gjatë festivalit “Lapu Lapu Day”, i cili kremton trashëgiminë filipinase. Policia nuk ka dhënë ndonjë motiv, por ka përjashtuar terrorizmin si qëllim të sulmit.
Kryeministri kanadez Mark Carney dhe kryebashkiaku i Vancouverit e cilësuan ditën si një nga më të errëtat në historinë e qytetit, ndërsa flamujt do të qëndrojnë në gjysmë shtize për nder të viktimave.