Live

Ekskluzive: Ky është zyrtari i “Hidramorava” që u arrestua pasi i dha testin kandidatit paraprakisht

08:21 / 30 Prill 2025

Nga Kosova Live

Një skandal i rëndë është zbuluar në ndërmarrjen publike KRU “Hidromorava” në Gjilan, ku disa zyrtarë dyshohen se kanë manipuluar procesin e punësimit përmes keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Burime të sigurta të Kosovalive brenda Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit bëjnë me dije se hetimet kanë nxjerrë në pah se disa anëtarë të komisionit të rekrutimit, të caktuar me vendim nga Kryeshefi i kompanisë, i kanë dhënë paraprakisht pyetjet dhe përgjigjet e testit me shkrim një kandidati të identifikuar si A.R., duke i mundësuar atij një avantazh të padrejtë ndaj aplikantëve të tjerë.

Sipas informacioneve të siguruara nga hetuesit rajonalë në Gjilan, testi origjinal është gjetur në posedim të kandidatit, dhe përmbajtja e tij rezulton të jetë identike me atë që iu është administruar aplikantëve gjatë testimit zyrtar.

Siç mëson Kosovalive pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore, më 29 prill 2025, janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve anëtarët e komisionit: Valon Maliqi (rreth 41-vjeçar), Granit Sylejmani (rreth 45-vje♪5ar, Shqipe Sadiku (rreth 51-vjeçare), Albana Osmani (rreth 45-vjeçare) dhe  Valon Ismajli (rreth 29-vjeçar).

Të gjithë janë marrë në pyetje në prani të avokatëve të caktuar sipas detyrës zyrtare.

Gjatë intervistimit, është zbuluar se Valon Maliqi, njëri nga anëtarët e komisionit, është personi që ia kishte dorëzuar paraprakisht pyetjet kandidatit A.R.

Për pasojë, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është nxjerrë urdhër për ndalimin e Valon Maliqit për 48 orë, në Qendrën e Ndalimit në Gjilan, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkohë, katër të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.

Gazeta Kosovalive do të përcjellë zhvillimet e mëtejshme të këtij rasti që hedh dritë mbi abuzimet me konkurset publike dhe ndërhyrjet klienteliste në institucionet publike të vendit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje në

U Kopjua