Live

Ekskluzive: Punëtori 18-vjeçar lëndohet në vendin e punës në Ferizaj – dyshohet për mungesë të pajisjeve mbrojtëse

08:23 / 30 Prill 2025

Nga Kosova Live

Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e pasdites të së martës në fshatin Babush të Ferizajt, ku një i ri ka pësuar lëndime gjatë orarit të punës në një punishte gome.

Burime të sigurta bëjnë me dije se më 29 prill 2025, rreth orës 17:27, Emergjenca në Ferizaj ka njoftuar Policinë se një person i lënduar ishte duke pranuar trajtim mjekësor pas një incidenti të ndodhur në biznesin “Autogoma” në këtë fshat.

Viktima është identifikuar si Meriton Halili, 18-vjeçar, i cili sipas informatave të mjekëve, ka qenë në gjendje stabile, por për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar në Qendrën Emergjente në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet hetimore të Policisë së Ferizajt dhe inspektorët e punës, të cilët kanë nisur hetimet për rrethanat që çuan në këtë incident.

Sipas dyshimeve fillestare, rasti lidhet me mungesën ose heqjen e pajisjeve mbrojtëse, çka ka ngritur shqetësime për standardet e sigurisë në ambientin e punës.

Pas raportimit të rastit, është njoftuar edhe Prokurori, i cili ka urdhëruar që të iniciohet procedurë penale për veprën “Asgjësimi, dëmtimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar nëse kompania në fjalë ka shkelur rregullat ligjore për mbrojtjen e punëtorëve.

Gazeta Kosovalive do të përcjellë me kujdes këtë rast dhe do të raportojë për çdo zhvillim të ri.

Shpërndaje në

U Kopjua