Një incident i rëndë është regjistruar të martën në ambientet e shkollës së mesme “Hoxhë Kadri Prishtina” në Prishtinë, ku një nxënës është sulmuar fizikisht nga një bashkëmoshatar.
Burime të sigurta bëjnë me dije se rreth orës 16:20 të datës 29 prill 2025, në oborrin e shkollës ka ndodhur një përleshje mes dy nxënësve, ku E.L., 15-vjeç, ka deklaruar se është goditur disa herë me grushta në fytyrë dhe trup nga V.A., 16-vjeç.
Sipas viktimës, konflikti mes tyre dyshohet të ketë lidhje me një mosmarrëveshje për një vajzë, me të cilën të dy kishin pasur kontakt më herët.
Si pasojë e sulmit, E.L. ka pranuar ndihmë mjekësore, ndërsa për shkak të natyrës së rastit dhe moshës së të përfshirëve, është njoftuar menjëherë Prokurori kujdestar për të mitur.
Me urdhër të tij, ndaj të dyshuarit V.A. është iniciuar rasti “Lëndim i lehtë trupor”, dhe është vendosur masa e ndalimit për 24 orë.
Rasti është duke u trajtuar nga njësitë për të mitur të Policisë së Kosovës dhe nga autoritetet përkatëse arsimore.
Gazeta Kosovalive do të vazhdojë të raportojë për çdo zhvillim që ndërlidhet me sigurinë në shkolla dhe trajtimin institucional të rasteve të dhunës në mjedise arsimore.