Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka përkujtuar sakrificën heroike të komandantit Ilaz Kodra dhe 29 bashkëluftëtarëve të tij, në 26-vjetorin e përjetësisë.
Në një postim në Facebook, Haradinaj thotë se me Kodrën ishte bashkë në betejën e Qafë Mullarit në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama.
“Dje i kujtuam me respekt dëshmorët; Jakub Demaliaj e Bilall Mazrekaj, ndërsa sot përkujtojmë sakrificën heroike të komandantit Ilaz Kodra dhe 29 bashkëluftëtarëve të tij, në 26-vjetorin e përjetësisë. Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama. Më 30 prill 1999, ata luftuan trimërisht kundër disa brigadave të ushtrisë pushtuese jugosllave, duke e kthyer rrjedhën e historisë në favor të lirisë së Kosovës”, ka shkruar kreu i AAK-së, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Haradinaj bëri të ditur se sot bashkë me kolegë dhe shumë bashkëluftëtarë të gjallë, iu bashkuan familje së luftëtarit Naser SHala, për të qenë pranë tyre pas ndarjes së tij nga jeta.
“Po ashtu, sot me kolegë e shumë bashkëluftëtarë të gjallë nga Zona e Dukagjinit iu bashkuam familjes së luftëtarit Naser Shala, për të ndarë dhimbjen me ta për ndarjen e tij nga jeta. Lavdi dëshmorëve të kombit! I paharruar kujtimi për ty, vëlla e bashkëluftëtar Naser Shala”, ka shtuar Haradinaj.