Live

Gjykata Supreme vendos: Liron nga paraburgimi serbët e arrestuar në Gjakovë

14:29 / 01 Maj 2025

Nga Kosova Live

Gjykata Supreme e Kosovës ka nxjerrë aktgjykim për lirimin nga masa e paraburgimit të katër serbëve, që u arrestuan në fillim të muajit prill, në Gjakovë.

Supremja ka aprovuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të dyshuarve dhe e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, raporton Klankosova.tv.

Vendimi është marrë dje dhe të dyshuarit janë liruar menjëherë, për t’u mbrojtur në liri.

Kujtojmë se sipas kërkesës së Prokurorisë të parashtruar në gjykatë thuhetj se

“…ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, me datën 5 prill 2025, në Rr. “Gasper Karaqi” në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një (1) sëpatë, një (1) thikë me këllëf, dhe një (1) thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit Toyota ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë dhe pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”. 

Kjo çështje ishte diskutuar edhe në Këshillin e Sigurisë së Kosovës, më 6 prill.

Madje, në njoftimin që kishte lëshuar Qeveria thuhej se arrestimi i  tyre ngrit nevojën për vëmendje dhe gatishmëri.

”Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë”. – thuhej në njoftim.

Shpërndaje në

U Kopjua