Tentativa e nëntë për të konstituuar Kuvendin e Kosovës, dështoi edhe sot.
Ishin përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe, që kundërshtuan propozimin e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.
Si rrjedhojë të njëjtit nuk propozuan as anëtarë të komisionit.
Mbi këtë situatë edhe pati përplasje e gjuhë të ashpër.
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi shprehej i shqetësuar me insistimin e Vetëvendosjes që Albulena Haxhiu të votohet për kryeparlamentare të Kuvendit, dhe për mënyrën sesi u propozua të votohej.
”Është e turpshme, e pahijshme, është fyese për qytetarët që e kanë votuar. Ka kuptim votimi i fshehtë kur janë dy kandidatë, por në këtë situatë, jo – ka vetëm një kandidat. Edhe këta janë duke e kuptu që janë ka bëhen horë”, deklaroi i pari i PDK-së.
I pranishëm jo, por nga distanca, një reagim mbi këtë situatë nga facebook-u, bëri edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
”A po e kuptoni tani, se pse me të tillët, nuk mund të kesh as takim e as mirëkuptim? Të takojnë, të mashtrojnë! Gjersa të thërrasin në takim, jashtë të ofendojnë. Në fund veprojnë në arbitraritet të plotë!”.
Derisa ishte deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ajo e cila refuzoi të propozojë një emër të këtij subjekti për anëtare të komisionit.
”Kjo që po ndodh këtu me të vërtetë është për keqardhje, ne kemi dhënë alternativa, ju s’i keni pranuar ato alternative. Andaj, nuk do të bëhemi pjesë e cirkut tuaj. Sa për buzëqeshjet e juaja u them ‘‘Zdravo Mimoza”’, u drejtohej ajo të pranishmëve.
Ndryshe mbi propozimin e kryesuesit të seancës, emrin e saj për anëtar komisioni e dha Lëvizja Vetëvendosje.
Ata propozuan Hekuran Muratin, derisa nga KDTP u propozua deputetja Fidan Jilta, e kryesuesi Dehari lexoi edhe emrat e përfaqësuesve të subjekteve të tjera politike nga komunitetet jo shumicë, përkatësisht deputetëve Elbert Krasniqi, Emilija Rexhepi, Nenad Rashiq, Rasim Demiri, Veton Berisha, Duda Balje, Artan Asllani, Adem Hoxha dhe Albert Kinolli.
Pas procedurës së votimit për përbërjen e komisionit, kryesuesi Avni Dehari konstatoi se 55 deputetët kanë votuar për, një kundër, ndërsa nuk ka abstenuar asnjë.
Meqë as këtë herë Vetëvendosje s’i pati votat as për votim të fshehtë për kandidaten e saj për kryeparlamentare, Albulena Haxhiun dhe anëtarët e komisionit, seanca u ndërpre, për të vijuar të shtunën, më 3 maj, në orën 10:00.
Pasi edhe kjo herë dështoi, ishte vet deputetja e zgjedhur Albulena Haxhiu ajo e cila tentonte t’u ikte mediave, dhe u zu të largohej nga objekti i kuvendit nga një dalje tjetër.
E gjithë ngjarja pasoi me reagime të shumta.
Mimoza Kusari-Lila, deputetja e Grupit Parlamentar të LVV-së, tha se propozimi i Avni Deharit, kryesuesit të seancës për konstituimin e Kuvendit, për votimin e fshehtë për kandidatin për kryetar të parlamentit nuk është i jashtëligjshëm.
Ajo ka insistuar se Lëvizja Vetëvendosje po mundohet që të zhbllokojë situatën në të cilën është Kuvendi, por sipas saj, opozita po e bllokon.
”Në asnjë argumentim nuk u përmend neni i Kushtetutës, apo neni i Rregullores së Kuvendit që e parandalon votimin e fshehtë. Në të kundërtën votimi i fshehtë parashihet dhe sidomos bazuar edhe në udhëzimin e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, edhe në letrën e dërguar nga presidentja e Kosovës, për të zhbllokuar këtë situatë dhe për të gjetur mënyra për të zhbllokuar këtë situatë”, tha ajo.
Edhe Hekuran Murati u shpreh i mllefosur mbi rezultatin e sotëm. Anise ishte partia e tij që po imponon një emër për kryeparlamentare, ai u shpreh pas seancës se vota e deputetit duhet të jetë e lirë dhe jo e detyruar!
Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci ka komentuar propozimin e Vetëvendosjes për votim të fshehtë për kryeparlamentar, në seancën e sotme në Kuvend.
Ai vlerësoi se imponimi dhe mënyra e votimit nuk zgjidh krizën, prandaj sipas tij është koha e fundit që të kërkohet një interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
”Mënyra e votimit nuk e zgjidh krizën, por këtë mund ta bëjë vetëm marrëveshja politike. Imponimi nuk zgjidh asgjë, përkundrazi tregon moskapacitet për marrëveshje! E drejta për të propozuar, nuk nënkupton të drejtën e zgjedhjes!”, thotë Peci.
Për zgjidhjen e ngërçit politik, foli sot edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Kadri Kryeziu, ka pohuar se nëse nuk ndërhyn presidentja Vjosa Osmani, ndërhyn administrata amerikane.