Live

LDK i reagon sërish VV’së: Po silleni si hipokritë, bllokues, propagandues dhe plotësisht të papërgjegjshëm

21:50 / 01 Maj 2025

Nga Kosova Live

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ashpër ndaj tentativës për të ndryshuar mënyrën e votimit nga e hapur në të fshehtë gjatë procesit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, raporton Periskopi.

Ajo thekson se një veprim i tillë është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe praktikat parlamentare, duke e cilësuar pushtetin si “hipokrit, bllokues dhe të papërgjegjshëm”.

Reagimi i plotë:

JO – nuk kanë të drejtë t’a ndryshojnë formën e votimit nga e hapura në të fshehtë, në MES të procesit. Praktika parlamentare nuk e legjitimon këtë.

Referenca e Kushtetutës në Rregulloren e Kuvendit është një kërkesë imperative, e cila bën që Rregullorja e Kuvendit të ketë fuqi normative. Ajo nuk është vetëm një akt i brendshëm, por një normë ndihmëse kushtetuese për procedurën e zgjedhjes së Kryetarit.

Se Rregullorja e Kuvendit përcakton standardin e mekanizmave procedural e ka konfirmuar vet Gjykata Kushtetuese pikërisht në lëndën në të cilën po thirret pushteti.

Më saktë, paragrafi 106 po aty, qartëson se derisa Kushtetuta shërben për krijimin e bazamentit strukturorë, Rregullorja e Punës shërben si mekanizëm procedural për implementimin e dispozitave kushtetuese – që nënkupton përcaktimin e formës së votimit.

E Rregullorja e Punës e Kuvendit të Kosovës – e aq më shumë praktika parlamentare, nuk lejon ndryshimin arbitrar të metodës së votimit pas fillimit të procesit të votimit.

E kur e mendon – ju po thirreni në praktikë të Gjykatës Kushtetuese a?

Po silleni si hipokritë, bllokues, propagandues dhe plotësisht të papërgjegjshëm.

Shpërndaje në

U Kopjua