Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka folur nga protesta që po mbahet kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili parasheh kalimin e 1,300 bizneseve në tregun e lirë të energjisë.
Rafuna tha se protesta nuk është për luks, por për mbrojtjen e një të drejte thelbësore që u takon bizneseve dhe qytetarëve të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
“Nuk jemi sot këtu për luks, nuk jemi për të kërkuar mëshirë. Jemi duke kërkuar një të drejtë që na takon. Energji elektrike është dritë, dhe buka që piqet vjen prej energjisë që e konsumojnë qytetarët e Kosovës”, deklaroi ai.