Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pak para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, është paraqitur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku është paraparë të mbahet seanca gjyqësore për hedhje të gazit lotsjellës në vitin 2016 në Parlament.
Megjithatë, seanca është shtyrë për shkak të mungesës së të akuzuarve të tjerë.
Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj akuzohen se në shkurt të 2016-ës kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, duke e kryer veprën penale “armëmbajtje pa leje”, raporton EO.
Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë-Serbi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
