Live

PDK nis shqyrtimin e kandidaturave për kryetarë të komunave

11:31 / 23 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur sot zyrtarisht procesin e shqyrtimit të kandidaturave për kryetarë komunash, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Ky vendim vjen menjëherë pas mbajtjes së Konventës së Përgjithshme të PDK-së më 21 qershor, ku Memli Krasniqi u rizgjodh në krye të partisë. Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve po zhvillohet në përputhje me statutin e partisë dhe vendimin e Këshillit Drejtues.

“Bazuar në statutin e partisë dhe vendimin e Këshillit Drejtues, degët e PDK-së kanë të drejtë të propozojnë kandidatët e tyre për kryetarë komunash. Këto propozime dorëzohen në qendër, ku vendimin përfundimtar e merr Kryesia e partisë, sipas autorizimeve të përcaktuara,” tha zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

Ai bëri të ditur se të gjitha kandidaturat do të përmbyllen deri në mesin e muajit korrik, në mënyrë që kandidatët të kenë kohë të mjaftueshme për përgatitje.

“Partia Demokratike e Kosovës planifikon t’i përmbyllë të gjitha kandidaturat për kryetarë komunash më së largu deri në mesin e muajit korrik. Kjo u mundëson kandidatëve të kenë një periudhë të plotë tre mujore për përgatitje sa më të mirë drejt zgjedhjeve të 12 tetorit,” shtoi Abdullahu.

Ndërkaq, kryetari i rizgjedhur i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se partia synon të rifitojë të gjitha komunat ku aktualisht është në qeverisje, si dhe të fitojë në disa komuna të tjera ku, sipas tij, PDK ka një potencial të jashtëzakonshëm.

Shpërndaje në

U Kopjua