Garuesi nga Kosova, Shkëlzen Goqi, është diskualifikuar nga gara e kërcimit nga ura, që është mbajtur dje në “Urën e Vezirit” në Podgoricë të Malit të Zi.
Arsye për këtë diskualifikim thuhet të jetë gjesti simbolik i shqiponjës, që është interpretuar si provokues nga organizatorët dhe një pjesë e publikut.
Goqi, i njohur në Kosovë për kërcimet nga lartësia dhe me origjinë nga Gjakova, kishte bërë simbolin e shqiponjës dykrenare para kërcimit të tij, një gjest i zakonshëm mes sportistëve shqiptarë për të shprehur identitetin kombëtar.
Sipas asaj që raportojnë mediumet malazeze, ky veprim u shoqërua me fishkëllima nga publiku, ndërsa më pas juria vendosi diskualifikimin e tij, pasi organizatorët e kanë konsideruar këtë gjest si “shkelje të rregullave të manifestimit”.
Edhe sekretari për sport i Podgoricës, Darko Nikçeviq, ka konfirmuar vendimin për diskualifikim, duke theksuar se “rregullat e manifestimit ndalojnë qartë shfaqjen e simboleve dhe porosive të papërshtatshme politike, kombëtare apo të natyrave të tjera”, transmeton express.
Për rastin ka folur edhe vetë Shkëlzen Goqi, i cili e ka quajtur këtë vendim si të padrejt.
Shkëlzen Goqi për “TV Syri” tha se “ai përfaqësoi Kosovën në Podgoricë”, por se ai nuk është prezantuar si garues i Republikës së Kosovës por vetëm i kanë thënë kërcyes nga Gjakova. Ai tha se është vendim i padrejt ky diskaulifikim që i është bërë në Podgoricë.
Mediat malazeze raportuan se Evald Krniq, fituesi i garës, ishte iniciator i diskualifikimit të Goqit.
“Menjëherë kam ndërhyrë te juria profesionale, e cila mori vendimin për përjashtimin e tij. Ai më pas mori edhe ndalesë për pjesëmarrje në gara të këtij lloji në Podgoricë”, ka thënë ai për mediat malazeze.