Gjatë vitit 2024, në Kosovës janë regjistruar 548 raste të reja me tuberkuloz.
Kështu bën të ditur Ministria e Shëndetësisë, transmeton Klankosova.tv.
Sipas MSH-së, në Ditën Botërore të Mushkërive, kjo sëmundje mbetet një sfidë e rëndësishme për shëndetin publik.
“Edhe në Kosovë, tuberkulozi mbetet sfidë për shëndetin publik. Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 548 raste me një incidencë prej 34.3 për 100,000 banorë. E ritheksojmë se diagnostikimi dhe trajtimi i tuberkulozit ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore të vendit tonë. Përveç tuberkulozit, sëmundjet e tjera të organeve të frymëmarrjes, përfshirë astmën dhe bronkitin kronik, vazhdojnë të jenë shkaktarë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend.”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.
Dita Botërore e Mushkërive, që në Kosovë po shënohet me moton “Mushkëri të shëndetshme, jetë e shëndetshme”, ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për sëmundjet që prekin mushkëritë dhe ndikimin e tyre në jetën e miliona njerëzve në botë.
Sipas raportit global për sëmundjet respiratore, çdo vit miliona persona preken nga sëmundje si sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK), astma, pneumonia, tuberkulozi dhe kanceri i mushkërive, të cilat shkaktojnë vdekje në shkallë të gjerë.