Pas takimit të shumëpërfolur të së martes mes liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ati të LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, duke thënë se Kurti po i përulet Mustafës deri në servilosje.
“Albin Kurti e shet veten si të dinjitetshëm e me integritet, por nga frika që të shkojë i vetëm në zgjedhje ai po i përulet “Profesorit” deri në servilosje”, ka shkruar Ismaili.
Sipas Ismailit, Albin Kurti për të prekur pushtetin është në gjendje të shndërrohet edhe në vegël të personit që e luftonte me metodat më të pamoralshme dhe më jodemokratike dhe me të cilin nuk e lidhë asnjë princip apo vlerë përpos frika nga PDK-ja dhe lakmia për privilegje.
Ja reagimi i plotë i Uran Ismailit:
Albin Kurti paska takuar Isa Mustafën. A thua si ndihen votuesit e VV-së të cilët Albin Kurti i tradhton duke iu lutur Isa Mustafës për partneritet?! Mbështetësit e tij janë tronditur nga fakti se ai e paska quajtur Isa Mystafën “profesor” dhe i paska uruar punë të mbarë dhe shëndet. Sa qesharake dhe sa ironike. Një kohë për të Isa Mustafa nuk ishte “profesor”, por shërbëtor i Rrahman Morinës, Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit. Ishte “argat i Serbisë që po e bosnjëzon Kosovën dhe Esat Pashë që po i falë territore Malit të Zi”. Dikur e akuzonte me 72 dosje për krim të organizuar, sot e lajkaton me ofertë për koalicion. Ai tani po e sheh si shpresë njeriun që e akuzonte se “po e zbrazë Kosovën duke e mbytur perspektivën”. Në ditët e tij të arta të huliganizmit nuk i uronte Isa Mustafës punë të mbarë, por rrëzim të mbrapshtë e të dhunshëm. Nuk i uronte shëndet e jetë të gjatë, por qeverisje të shkurtër dhe fund të mjerë duke ia rrezikuar shëndetin me gaz lotsjellës. E gjuante dhe e turpëronte me vezë në shtëpinë e demokracisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe e sulmonte me molotovë në shtëpinë e tij familjare. Albin Kurti e shet veten si të dinjitetshëm e me integritet, por nga frika që të shkojë i vetëm në zgjedhje ai po i përulet “Profesorit” deri në servilosje. Për të prekur pushtetin ai është në gjendje të shndërrohet edhe në vegël të personit që e luftonte me metodat më të pamoralshme dhe më jodemokratike dhe me të cilin nuk e lidhë asnjë princip apo vlerë përpos frika nga PDK-ja dhe lakmia për privilegje. Megjithatë këto aleanca tepër joparimore vetëm se do ta rrisin mbështetjen qytetare për PDK-në. Rrugëtimi ynë drejt rikonfirmimit si forca më e madhe demokratike në vend është i pakthyeshëm. Ne mbesim rruga e vetme për luftimin e korrupsionit, nepotizmit dhe ndërtimit të një shteti që ofron ardhmëri të sigurt për të gjithë qytetarët e tij.