Kongresi i Manastirit, ose Kongresi i Alfabetit, ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Data 22 nëntor përbën tashmë një ditë përkujtimuese në Shqipëri, Kosovë, Republikën e Maqedonisë dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit. Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet.
(Objekti i dikurshëm i Hotelit Iliria, ku u mbajt Kongresi i Manastirit – Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe,14 nëntor – 22 nëntor 1908)
Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzetetre qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjetedy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe tetëmbëdhjetë vëzhgues.
Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi. Delegatë të tjerë nga familja ishin Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës dhe Gjergj Zavalani. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.
Fjalimet e bëra dy ditët e para ishin të përgjithshme dhe ndihën për të krijuar atmosferën që duhej për të trajtuar çështjen serioze./gazetametro.net