Në Rahoveci sonte nis edicioni i 18-të i Festivalit të vjeljes së rrushit “Hardh Fest”. Festivali do të zgjasë deri më 18 gusht dhe nën moton “Një gotë për mot”, synon të mbledhë mijëra vizitorë. Sipas organizatorëve, në Rahovec, për tri ditë e net, do të ketë aktivitete të shumta kulturore e argëtuese.
Dea Luma, organizatore e festivalit, ka thënë se festivali do të fillojë me parakalimin e vreshtarëve me pajisjet e punës, për të vazhduar me garat në vjeljen dhe shtrydhjen e rrushit dhe me disa aktivitete të tjera.
“Kemi edhe demonstrimin e pjekjes së rakisë, që është një nga aktivitetet më atraktive të “Hardh Festit”. Këtë vit risi e kemi aktivitetin “Hardh-Eks”, ku do të marrin pjesë të rinjtë mbi moshën 21 vjeçare, në garën se kush do të pijë më shpejt tri gota raki. Po ashtu është edhe aktivitetin “Mbretëresha e Rrushit” që është një aktivitet tradicional i Rahovecit”, tha ajo.
Luma tha se për tri net, sa do zgjasë “Hardh Fest”, do të ketë koncerte me artistë e dixhej të mirë. Por, sipas saj, një mbrëmje madhështore me një mysafir special do mbahet në natën e dytë.
“Në natën e dytë kemi koncertin e madh. Do të performojë artisti kryesor i festivalit për këtë vit, Ronnie Romero, që është një nga rokerët më të kërkuar në Evropë. Romero, është vokalisti i grupit “RainBow”, dhe vjen për herë të parë në Kosovë” tregoi Luma.
“Hardh Fest”, edhe këtë vit në Konak të Rahovecit do të mbledhë mijëra vizitorë, beson Dea Luma, organizatore e festivalit.
“Vitin e kaluar kanë qenë mbi 60 mijë vizitorë dhe ne presim që këtë vit të jetë numri edhe më i madh. Ka shumë interesim për pjesëmarrje nga qytetarët tanë, por edhe nga ndërkombëtarët.”
Një e veçantë e këtij edicioni të “Hardh Fest” është edhe minimaratona që ka për qëllim mbështetjen e fëmijëve të prekur nga Fibroza Cistike. Hardh minimaratona do të mbahet më 17 gusht, në ora 10, në vreshtat piktoreske të Rahovecit.