PRISHTINË | 25 DHJ 2019 | Nga KosovaLive
Duket se zviceranët nuk po mund t’i kalojnë në qetësi festat e fundvitit, të shqetësuar për të ardhmen e sulmuesit të talentuar Andi Zeqiri, i cili mund të vendosë ta përfaqësojë vendin e prejardhjes, Kosovën, duke hequr dorë nga vendlindja, Zvicra.
I lindur në Lausanne nga prindër me prejardhje nga Kosova, 20-vjeçari u fotografua në një hotel me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një kohë kur po shkëlqen për klubin e tij Lausanne.
Zeqiri është duke e përfaqësuar ekipin kombëtar U21 të Zvicrës momentalisht, për të cilin i ka shënuar gjashtë gola në shtatë paraqitje, dhe është në rrugë të mirë për ta dërguar atë në Kampionatin Evropian U21. Ai shkëlqeu në veçanti në fitoren e Zvicrës 3:1 ndaj Francës, duke i shënuar dy nga tri golat e triumfit.
Por ai ende ka kohë të vendosë se cilin ekip kombëtar senior ta përfaqësojë. Ai gëzon të drejtën të zgjedhë të vazhdojë me Zvicrën, apo të ndërrojë aleancë dhe t’i bashkohet Kosovës.
Gazeta online e sportit në Zvicër, Sport, shkruan se Kosova është duke u përpjekur t’ia marrë vendit një stoli shumë të çmuar, siç është Zeqiri.
“Kosova dëshiron t’ia rrëmbejë Zvicrës një stoli të madhe”, shkruhet në ballinën e lajmit për fotografinë e Ademit dhe Zeqirin që Sport e ka publikuar të mërkurën.
Zeqiri, i cili luan me të dy këmbët, i ka shënuar 16 gola në 21 ndeshje këtë sezon për Lausanne deri tani këtë sezon.
Ai ka luajtur edhe për skuadrën U19 të kampionit të Italisë, Juventus, si lojtar i huazuar nga klubi zviceran, duke i shënuar plot 41 gola në 30 paraqitje.