PRISHTINË | 29 DHJ 2019 | Nga KosovaLive
Sulmuesi i huazuar i Interit, Mauro Icardi, ka thënë se ndihet krenar që e ka thyer rekordin e Zlatan Ibrahimovicit në Paris Saint-Germain, duke u bërë lojtari që i shënon më së shpejti 10 gola për parisienët.
Sulmuesi argjentinas u huazua nga zikaltrit në Paris në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës, pasi iu bë e qartë se e ardhja e tij nuk i përkiste klubit nga Serie A, transmeton Gazeta Express.
Icardi është mësuar me jetën në Francë shumë lehtë dhe së fundmi e ka thyer rekordin e klubit, i cili i takonte Ibrës, duke u bërë lojtari që i shënon më së shpejti 10 gola për klubin.
“Nuk e dija këtë, por ndihem krenar që e kam arritur këtë gjë dhe që e kam shkruar historinë për një klub siç është Paris Saint-Germain”, tha Icardi për PSG TV.
“Unë gjithmonë përpiqem të jem i përgatitur dhe të jem gjithmonë mundësi për bashkëlojtarët e mi, me vrapimet dhe lëvizjet e mia, në mënyrë që ata ta kenë ndonjë lojtar të lirë në sulm për t’ia pasuar topin”, shtoi ai.
Icardi është i huazuar vetëm deri në fund të këtij sezoni, por PSG-ja e ka mundësinë për ta blerë 26-vjeçarin për 70 milionë euro në afatin kalimtar të verës së ardhshme.