Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot për të dhjetën herë radhazi në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin.
Procesi është bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – një pikë kyçe që ka shkaktuar përplasje mes partive politike, veçanërisht për shkak të kandidaturës së propozuar nga Vetëvendosje, raporton klankosova.tv.
VV po insiston në emrin e Albulena Haxhiut, e cila deri tani është hedhur gjashtë herë në votim, pa arritur të marrë numrin e nevojshëm të votave. Në tentativën e shtatë, u propozua votimi i fshehtë, por ai u kundërshtua nga partitë e tjera, duke shkaktuar tensione dhe akuza të ndërsjella.
Propozimi për votim të fshehtë u bë nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, por u refuzua nga shumica e partive, të cilat e konsideruan të papranueshëm këtë veprim.
Seanca e sotme është paraparë të nisë në orën 10:00 dhe mbetet e paqartë nëse VV do të këmbëngul sërish për votim të fshehtë.
Hekuran Murati, deputet i Vetëvendosjes, ka dhënë sinjale mbrëmë përmes një postimi se mund të tentojnë sërish këtë formë.
“Marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi, mendoj se mënyra e votimit të fshehtë, e sugjeruar edhe nga Gjykata Kushtetuese, ofron mundësinë ideale për të dalë nga bllokada. Kjo do t’u mundësonte deputetëve të zgjedhur ta çojnë në vend vullnetin e qytetarëve, duke konstituuar Kuvendin dhe duke zgjedhur qeverinë e re,” shkroi Murati.
Kandidatura e Albulena Haxhiut vazhdon të shihet si “figurë përçarëse” nga shumica e partive parlamentare