Geoffrey Roberts, avokati i Rexhep Selimit, ka deklaruar se shpreson se do të ndryshojë çështja e regjimit të vizitave në paraburgim tani që çështja e Prokurorisë ka përfunduar, në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.
Në një intervistë për Klan Kosovën, ai ka pohuar se në këtë fazë që është rasti në fjalë do të propozojnë ndryshimin e rrethanave që mund të ndryshojnë fazën e paraburgimit.
“Çështja e regjimit të vizitave për Z. Selimi është shumë e rëndësishme si për ne si për Z. Selimi, familjen dhe miqtë që e vizitojnë atë dhe është diçka për të cilën shpresojmë të ndryshojë deri në përfundim të çështjes së Prokurorisë. Kjo është diçka që i përket Trupit Gjykues për ta vendosur dhe patjetër që me përfundimin e rastit nga ana e Prokurorisë dhe faktit që më nuk ka dëshmitarë të Prokurorisë, ne do të propozojmë ndryshimin e rrethanave të cilat potencialisht do të çonin në ndryshimin e regjimit në paraburgim, por kjo i përket Panelit për ta vendosur”, ka thënë Roberts, raporton Klankosova.tv.
Ai është shprehur edhe për gjasat e lirimit me kusht të Selimit, duke shtuar se kur të përfundojë rasti i prokurorisë, do të jenë në gjendje të dinë gjasat për këtë çështje.
“Kjo është një pyetje e ngjashme. Konsiderojmë se tash janë bërë 2 vjet nga fillimi i çështjes së Prokurorisë, ua kemi dëgjuar të gjitha provat dhe dëshmitarët në sallën e gjykimit. Sërish kemi të tjera dokumente të ndryshme të cilat Prokuroria po synon t’i pranojë, por në këto rrethana, tribunalet e tjera i kanë lejuar individët që të lirohen me kusht apo përkohësisht në faza të caktuara të procesit. Kjo është njëra nga ato faza kur mund të parashtrohet një kërkesë e tillë”.
“Ne nuk presim që Mbrojtësi i Viktimave të marrë shumë kohë për ta paraqitur rastin e tyre, ndoshta pak muaj, ndoshta më pak, është vështirë të dihet. Shpresojmë të kemi një konferencë statusore në të ardhmen e afërt dhe pas përfundimit të rastit të prokurorisë të jemi në gjendje të caktojmë oraret se çfarë ndodh tutje me rastin e viktimave dhe potencialisht me rastin e Mbrojtjes. Dhe në atë fazë do të jemi në gjendje të dimë nëse lirimi i përkohshëm do të jetë diçka e mundur apo jo”, ka thënë Roberts.