Live

Abdixhiku në ‘turne falënderimi’ derisa gozhdohet nga opozita se po ia bën ‘shpëtimtarin’ Kurtit

14:58 / 31 Mars 2025

Nga Kosova Live

Me fjalën “realizëm” si ungjill të vet paszgjedhor, Lumir Abdixhiku po i qëndron “turneut të falënderimit” me votues të LDK-së, të cilëve u flet për “mbajtje fjalësh”. Mes djemsh e vajzash, votues të partisë së tij, ai foli për “sulme të gjithanshme” nga politikanë dhe opinonistë.

PDK-së dhe AAK-së, përkatësisht liderëve të tyre vokalë për një qeveri nga ish-opozita, Abdixhiku u ka vendosur paraprakisht edhe cilësorët “naiviteti” dhe “jorealizmi”, raporton Nacionale.

Kjo, sipas tij, vjen nga moskuptimi i numrave të prodhuara nga zgjedhjet e fundit.

Në mendjen e Abdixhikut, Kurti do të bëjë ç’mos që të shtyjë e përzgjasë formimin e institucioneve.

Dhe këtë, sipas tij, me perspektivën e Kurtit për “të blerë disa mandate” nga partitë tjera, çka Abdixhiku e konsideron të mundshme.

Abdixhiku shihet me dyshim nga opozita

Më i fundit që i çoi porosi Abdixhikut ishte kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Vërejtje të mos i bëjë ‘shpëtimtar’ Kurtit i bëri Haradinaj disa ditë më parë në “Debat Plus”.

Madje, veç LDK-ja, sipas tij, mund t’ia bëjë këtë të mirë të qëndruarit si kreu i qeverisë në detyrë.

“Të vetmin shpëtim e ka kah LDK-ja. Nëse LDK-ja don me shpëtu, mundet me mbajt ende. Përndryshe, nëse LDK bashkëpunon me opozitën, ne e bëjmë qeverinë,” tha Haradinaj.

“Tash unë nuk po them që LDK-ja e ka finale këtë, por LDK me pozitën e vet është duke ia zgjatur jetën shpresave të Kurtit, që ai më shumë ka nevojë që dikush t’i thotë ‘zotni, nuk ke shumicë, mos e zhagit’,” tha ai.

Abdixhikun e akuzoi për “paqartësim” të situatës nëse ka perspektivë ose jo për një qeveri të opozitës në eventualitetin e dështimit të Kurtit për të ndërtuar shumicë parlamentare dhe rrjedhimisht qeveri.

“Nga ana e opozitës hetohet një lloj treme për të ecur përpara… Hetohet një tremë për marrjen e përgjegjësive në një situatë, unë e hetoj,” tha Haradinaj.

“Një situatë e paqartë në marrëdhëniet në mesin e opozitës. Paqartësi nga LDK, nga zoti Abdixhiku, kanë një pozicion që po vështirëson një marrëveshje të opozitës, nuk po e lehtëson,” tha ai.

Hamza dhe Abdixhiku…

Një ditë para takimit me Abdixhikun, i nominuari i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, e dha partinë e tretë për nga rezultati zgjedhor: për të cilën pati ftesë dhe porosi në tingëllim vërejtjeje.

Hamza në “Debat Plus” foli se PDK-ja “nuk mbyll udhë”, duke e dhënë për dallim qëndrimin e partisë së vet karshi llogores së qëndrimeve paralektorale të LDK-së se nuk hynë në qeveri pa e marrë postin e kryeministrit.

Vështrim krejt tjetër nga Lumir Abdixhiku – i cili njëkohësisht po jepte intevistë në “Rubikon” të Klan Kosovës – artikuloi gjerë e gjatë Hamza.

Në një moment, Hamza u duk t’i çojë porosi Abdixhikut, për të cilin tash e një muaj ka ftesë për të biseduar në skenarin e pamundësisë së Vetëvendosjes për të krijuar shumicë parlamentare dhe ndërtuar qeveri; rrjedhimisht në kalimin e mandatarit te partia e dytë.

“Nëse kjo nuk funksionon (atëherë) vjen te situata e tretë, që nuk është e mirë për vendin, jo e shëndetshme: zgjedhjet (e reja). Por, kur shkohet në zgjedhje, ka përgjegjësi edhe adresë kush ka kontribu që vendi të shkojë në zgjedhje, që vendi të mos e ketë vakum institucional, mu prolongu çështjet,” tha Hamza.

Abdixhiku – simultanisht – e shihte krejt këtë “prematur…e madje edhe naive” për çka shprehej i bindur se për çka po flet Hamza është “katër-pesë muajshe…tetë muajshe”.

Dhe, sipas tij, ai në vështrimin e vet po shprehte “realizëm”, ndërsa – pa iu referuar në emra – Hamza dhe të tjerët (Ramush Haradinaj) ishin në “dëshira”.

Shpërndaje në

U Kopjua