Live

Abdixhiku pas takimit me Sorensen: LDK e mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE me përfshirje të SHBA’së

18:29 / 17 Mars 2025

Nga Kosova Live

Kreu i LDK’së Lumir Abdixhiku ka pritur të hënën emisarin e BE’së për dialogun Kosovë -Serbi, Peter Sorensen në selinë e LDK’së.

Abdixhiku ka njoftuar se me danezin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, veçanërisht për procesin e dialogut Kosovë – Serbi si dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian’

Tutje, ai ka thënë se LDK përkrah dialogun e ndërmjetësuar nga BE, por ka theksuar përfshirjen e SHBA’së në të. Ndërsa sa i përket Asociacionit, Abdixhiku ka thënë se LDK e refuzon draftin e e pranuar nga Qeveria në largim.

“E urova për detyrën e marrë dhe e njoftova emisarin Sorensen me qëndrimet e Lidhjes Demokratike rreth dialogut; se LDK i jep përkrahje procesit të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës; me theks të veçantë në arritjen e njohjes së ndërsjellë. E njoftova në veçanti dhe me pozicionin tonë për refuzimin e draft statutit të Asociacionit të pranuar nga Qeveria në largim; si dokument i autonomisë territoriale brenda Kosovës” ka shkruar Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Prita sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, z. Peter Sorensen.

Gjatë takimit, diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend, veçanërisht për procesin e dialogut Kosovë – Serbi si dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

E urova për detyrën e marrë dhe e njoftova emisarin Sorensen me qëndrimet e Lidhjes Demokratike rreth dialogut; se LDK i jep përkrahje procesit të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës; me theks të veçantë në arritjen e njohjes së ndërsjellë. E njoftova në veçanti dhe me pozicionin tonë për refuzimin e draft statutit të Asociacionit të pranuar nga Qeveria në largim; si dokument i autonomisë territoriale brenda Kosovës.

Kërkova që Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese për Kosovën sepse të njëjtat përveçse po dëmtojnë qytetarët tanë, dëmtojnë edhe vetë procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në familjen euroatlantike! 

Po ashtu shpreha besimin se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për integrim si dhe në proceset tjera.

Shpërndaje në

U Kopjua