Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi janë takuar sot në selinë e UEFA-së në Nion të Zvicrës me të parin e këtij institucioni, Aleksandër Çeferin. Nuk ka ndonjë njoftim që në këtë takim është biseduar në lidhje me licencimin e FFK-së
Sipas faqes zyrtare të FFK-së, temë diskutimi e këtij takimi ishte çështja e infrastrukturës së futbollit në të gjithë Kosovën. Me këtë rast, ministri Çeku e shpalosi planin 5-vjeçar të ministrisë që drejton për ndërtimin e stadiumeve të reja dhe renovimin e stadiumeve ekzistuese në vendin tonë.
“Sipas këtij projekti Kosova në të ardhmen do t’i ketë katër stadiume të kategorisë së katërt të UEFA-s, shtatë stadiume të kategorisë së dytë dhe 12 stadiume lokale. Presidenti i UEFA-s e vlerësoi projektin e paraqitur si shumë të mirë dhe theksoi se do të gjejnë rrugë për pjesëmarrje dhe mbështetje financiare të këtij projekti në kuadër të programit “HatTrick”, por edhe nga fonde tjera të UEFA-s”, thuhet në këtë njoftim.
“Ministri Çeku dhe Presidenti Ademi e falënderuan kreun e UEFA-s për pritjen e ngrohtë dhe për gatishmërinë e tij për ta përkrahur idenë e këtij projekti në të gjitha format, por edhe për mbështetjen e vazhdueshme që ai po i jep futbollit të Kosovës”.
Nuk dihet nëse në këtë takim është diskutuar në lidhje me procesin e licencimit të FFK-së nga ana e MKRS-së. Kjo e fundit ende nuk e ka licencuar FFK-në pasi ka kërkuar ti korrigjojë disa kritere në mënyrë që të licencohet, gjë që po rezulton mjaft sfiduese për FFK-në e cila është nën presion të këtij procesi pasi po i shtohet presioni i klubeve të cilave MKRS ua ka ndalur benefitet nga Ligji i Sponsorizimeve deri sa të licencohet FFK.
Në anën tjetër, Agim Ademi në një postim të tij në faqen në facebook ka folur për takimin por nuk ka folur për licencimin e FFK.