Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon fuqishëm pengimin që mbrojtja e afërt e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti i ka bërë sot gazetarit të televizionit T7, Genc Godanci derisa ai ka provuar t’i bëjë pyetje lidhur me Indeksin e Lirisë së Medias të Reporterëve pa Kufij.
Në postimin në Facebook të AGK-së theksohet se një nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt shihet dy herë duke ia kapur fizikisht dorën gazetarit, dhe një tjetër duke paraqitur pengesën e dytë në përpjekjen për të marrë përgjigje.
“Kjo nuk është hera e parë që gazetarët pengohen me dhunë nga mbrojtja e afërt në sytë e kryeministrit në detyrë, Kurti”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Ky asociacion tutje ftoi Policinë e Kosovës dhe kryeministrin në detyrë që të krijojnë kushte normale pune për gazetarët, kur ata kërkojnë përgjigje në ambient publik nga zyrtarët e lartë.