Live

AGK reagon pasi Rilind Gërvalla dënoi tre gazetarë RTK-së: Dënim brutal dhe i papranueshëm

16:51 / 12 Mars 2025

Nga Kosova Live

Një kronikë në të cilën ka sqarime se a duhet t’i thuhet Kurtit kryeministër në detyrë apo jo, ka rezultuar me pasoja për tre gazetarë të RTK-së. Siç raportoi Nacionale përmes burimeve; Jehona Zhitia, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami, janë dënuar nga drejtori i TV-së në RTK, Rilind Gërvalla.

Me një reagim dolën Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke e konsideruar si: ‘ dënim brutal dhe të papranueshëm’.

Reagimi i plotë:

AGK-ja e shqetësuar nga masat ndaj redaktorëve të RTK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, shpreh shqetësimin e madh pas konfirmimit të dënimit të tre redaktorëve të Transmetuesit Publik, RTK, nga ana e Drejtorit të Televizionit, Rilind Gërvalla.

Jehona Zhitia, Valon Bajrami dhe Arton Mulliqi janë dënuar për shkak të mos-transmetimit në edicionin e vonë të lajmeve të një kronike për Qeverinë dhe Kryeministrin Kurti. Një nga redaktorët ka pohuar se kjo kronikë e caktuar “nuk i ka plotësuar standardet profesionale”, dhe si e tillë s’është transmetuar, duke shtuar se s’është hera e parë që ndodh diçka e tillë në RTK.

AGK-ja e konsideron këtë dënim brutal dhe të papranueshëm. Redaktorët e transmetuesit publik duhet të kenë pavarësinë e plotë për të marrë vendime redaktoriale, ashtu siç e shohin të përshtatshme.

Një ndërhyrje e tillë është krejtësisht politike dhe vazhdimësi e tendencës së partisë në pushtet, Vetëvendosje, për të ushtruar kontroll total mbi RTK-në. Kjo po bëhet përmes drejtorit Gërvalla, një ish-aktivist dhe donator i kësaj partie politike.

AGK-ja i inkurajon të gjithë gazetarët dhe redaktorët e Transmetuesit Publik që të vazhdojnë punën e tyre në interes të publikut, pavarësisht pengesave dhe presioneve.

Shpërndaje në

U Kopjua