Një aksident jo fort i zakontë ka ndodhur ditën e djeshme te Burgu i Dubravës, ku është përfshirë një zyrtar korrektues. Ai u vetaksidentua me automjetin zyrtar dhe për pasojë pësoi lëndime trupore.
Siç merr vesh Kosovalive, oficeri i dyshuar ishte në lëvizje me veturën zyrtare në pjesën e pasme të burgut, kur papritmas humbi kontrollin dhe doli nga rruga.
Bazuar në informacionet e para, i njëjti e ka goditur murin e burgut, duke pësuar vet lëndime trupore – e po ashtu janë shkaktuar edhe dëme materiale.
Fillimisht, ai ka marrë trajtim mjekësor në Burgun e Dubravës, e më pas është transferuar në Spitalin Rajonal në Pejë.
Lidhur me rastin, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.