Live

Alpinistët serbë u shpëtuan në Malin e Jezercës, Policia shqiptare nxjerr pamjet: 50 forca shkuan në terren

16:10 / 26 Mars 2023

Nga Kosova Live

Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me shpëtimin e 4 alpinistëve në Malin e Jezercës, ku njëri prej tyre ishte në gjendje të rënduar pasi dëmtoi këmbën.

Blutë kanë nxjerrë pamjet nga ky moment dhe vihet re helikopteri që ka shkuar menjëherë në ndihmë.

Mësohet se pas ndihmës mjekësore, turisti serb është transportuar përsëri me helikopter drejt Spitalit të Traumës, për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ekipin mjekësor të Ministrisë së Shëndetësisë, i vijnë në ndihmë një turisti serb që ishte rrëzuar në malin e Jezercës dhe e kishte të pamundur lëvizjen, për shkak se kishte dëmtuar gjymtyrët.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit u angazhuan 50 forca policore nga Komisariati i Policisë Tropojë, Njësia Alpine e Reneas, forcat ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një ekip mjekësor i Ministrisë së Shëndetësisë.

Për shkak të terrenit shumë të vështirë malor dhe me dëborë, Policia e Shtetit ka kërkuar ndihmën e Ministrisë së Mbrojtjes, për të dërguar një helikopter, për ta transportuar turistin drejt spitalit, në Tiranë.

Rreth orës 10:05, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Tropojë 4 turistë serbë kanë kërkuar ndihmë, pasi njëri prej tyre, duke eksploruar zonën e Valbonës, në malin e Jezerces, kishte rënë nga një lartësi dhe kishte dëmtuar këmbën.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në ndihmë të turist serb janë nisur shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë dhe një skuadër alpine e Reneas, së bashku me ekipin mjekësor.

Shërbimet e specializuara të Policisë së Shtetit kanë mundur të shkojnë në vendin ku kishte rënë turisti dhe për shkak të terrenit të vështirë malor dhe me dëborë, skuadra alpine e Reneas dhe shërbimet e Policisë kanë kërkuar ndihmën e helikopterit të Ministrisë së Mbrojtjes, për të bërë të mundur transportimin e turistit.

Me ndihmën e helikopterit, pas shumë përpjekjesh, shërbimet e Policisë e kanë futur në helikopter turistin e dëmtuar dhe më pas e kanë zbritur në rrugën e automjeteve, ku dhe helikopteri ka qëndruar për t’i dhënë ndihmë mjekësore turistit serb.

Pas ndihmës mjekësore, turisti serb është transportuar përsëri me helikopter drejt Spitalit të Traumës, për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Turisti serb ka falënderuar shërbimet e Policisë, ekipin e helikopterit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe stafin mjekësor, që i erdhën në ndihmë në kohë reale, për t’i shpëtuar jetën.

Shpërndaje në

U Kopjua