Live

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian, a u “ngatërrua” vendi?

11:27 / 17 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Krerët e shtetit zgjodhën 14 dhjetorin për ta nënshkruar dokumentin me të cilin Kosova synon t’i hapë dyert e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Një ditë më pas Kurti udhëtoi drejt Pragës për t’ia dorëzuar presidencës çeke të BE-së dosjen. Për këtë hap u kritikua, pasi adresë më e saktë do të ishte Brukseli ku dje ishin edhe shefat e BE-së që i dhanë statusin e kandidatit Bosnjës e Hercegovinës. Por, liderët e 27 vendeve që e patën në agjendë Ballkanin Perëndimor, nuk “mbajtën shënim” për aplikimin e Kosovës. 

Bashkë me shefat e vendeve anëtare në Bruksel ishte edhe Kryeministri çek Peter Fiala, vendi i të cilit u përgëzua publikisht nga Ursula Von der Leyn për mënyrën se si drejtoi BE-në. Për shkak të kësaj mungese Kryeministri Kurti u prit nga  ministri çek për Çështje Europiane, Mikuláš Bek.

“Në zemër të Evropës, në qytetin e bukur të Pragës, sot zyrtarisht dorëzuam në Presidencën Çeke të BE-së aplikimin tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, shkroi Kurti më pas.

27 vendet anëtare të BE ranë dakord që t’i japin Bosnje e Hercegovinës statusin zyrtar të kandidatit. Ndonëse ra në të njëjtën ditë, aplikimi i Kosovës s’u përmend fare nga udhëheqësit europianë të mbledhur në Bruksel.  Sidoqoftë shtetet si Austria, Kroacia e përshëndetën aplikimin e Kosovës, duke e quajtur hap historik.

Dosja origjinale me të cilën aplikoi Kosova mbeti në Pragë, derisa në Bruksel shkuan vetëm kopjet e aplikimit të Kosovës. Për këtë njoftoi ambasadori kosovar atje, Agron Bajrami.

“Pasi kryeministri Albin Kurti dorëzoi aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në BE në Presidencën çeke në Pragë, kopjet e aplikacionit u dorëzuan te presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola, presidenti i Këshillit Europian Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen. E tashmja dhe e ardhmja e Republikës sonë është europiane”, ka shkruar Bajrami.

Për faktin që aplikimi nuk u bë në kryeqytetin europian, siç konsiderohet Brukseli, ka reaguar edhe ish-ambasadorja Alma Lama, e cila shtroi pyetjen nëse Kosova “po aplikon për anëtarësim në BE apo Çeki”.

“Pas refuzimit te Brukselit për të pranuar dokumentin e aplikimit për BE, KM i Kosovës përfundon në Pragë tek ministri i jashtëm i Çekisë, dmth as te homologu i tij jo. A po aplikon Kosova për anëtarësim në Çeki??  A është aplikimi për BE çështje bilaterale? Pse kjo ulje e nivelit të përfaqësimit diplomatik? Tani i bie që Çekia do ta dorëzojë dosjen në Bruksel?  Institucionet europiane kanë procedura dhe rregulla, nuk janë shaka. Keq, shumë joserioze kjo punë. Po si duket me rëndësi militantët me mendu se është mirë”, ka shkruar ajo.

Sidoqoftë, krerët e Kosovës u nguten që këtë hap ta ndërmarrin pikërisht për shkak të Pragës.

Mundi i Presidencës çeke për ta shtyrë përpara çështjen e vizave për Kosovën, e cila edhe rezultoi me sukses meqë procesi më në fund u zhbllokua në Këshillin e BE-së, ishte edhe arsyeja pse Kosova u nxitua që të zë dhjetorin përpara se Çekia t’ia kalojë udhëheqjen e Presidencës së Këshillit të BE-së Suedisë, një vend më skeptik për zgjerimin e Unionit.

Kjo nuk ishte edhe arsyeja e vetme pse Kosova vendosi që të aplikojë formalisht për t’u bërë anëtare e BE-së megjithëse përbën rast unik meqë po aplikon pa u njohur si shtet nga pesë vende anëtare.

Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, krerët e BE-së u bënë më të vëmendshëm karshi rajonit me zotime se BE-ja është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor, prandaj ai duhet të integrohet. Zyrtarët e BE-së gjithashtu kanë theksuar vazhdimisht kohët e fundit se mbështetja e Unionit për vendet e Ballkanit Perëndimor ishte jetike për ruajtjen e sigurisë së Europës.

Shpërndaje në

U Kopjua