Një titull ishte “Horribelt”, që do të thotë “tmerrueshëm”. Tjetri “Ndeshje tmerri”. I treti shkruante “Zhgënjim global”. Nuk munguan as ata të llojit “Fiasko gjigant” dhe “Tallje globale”.
Këto “bomba” i nxorën mediat kryesore në Suedi, pas disfatës 2 me 0 të kombëtares së këtij vendi në futboll ndaj Kosovës, të hënën mbrëma në “Fadil Vokrri”.
“Zhgënjim nga të gjithë”, shkroi “Aftonbladet”. “Dhemb ta shikosh”, shtoi “SR Radiosporten”
Pos këtyre titujve, nuk munguan as vlerësimet negative për lojtarët.
“Asnjëri nuk kalon”, ishte një titull te portal Omni.se, brenda tekstit të cilit thuhet se krejt futbollistët morën nota negative, pos portierit.
Vlerësimi më kritik ishte ai për sulmuesin Anthony Elanga.
“Në pjesën e dytë ishte kryesisht i fokusuar në dërgimin e kroseve te portieri i Kosovës”, shkruan në këtë tekst.
I “pashpirt” ndaj lojtarëve dhe trajnerit suedez ishte ylli i dikurshëm i kësaj kombëtareje, Fredrik Ljungberg.
“Mund të thuash se është absolutisht e tmerrshme. Shumë e rëndë”, tha ish futbollisti i klubit “Arsenal”, sipas gazetës “Svenska Dagbladet”.
Humbja nga Kosova u ka dhënë mediave ndërkombëtare, e sidomos atyre nga vendet fqinje, material për t’u tallur me Suedinë.
“Fiasko e madhe! Atmosferë si nëpër funerale, në Suedi” ka shkruar finlandezja “Ilta-Sanomat”. “Ishte si një top borë në fytyrë. Kosova hodhi bombën më të madhe në kualifikimet për Kupën e Botës”, ka vazhduar e njëjta.