Kompania e autobusëve “Erona” nuk duhet të lëvizë brenda Prishtinës, megjithatë këtë e bëri edhe të shtunën. Kjo e irritoi operatorin tjetër “Egzoni” që e ka këtë të drejtë, prandaj edhe ia bllokoi kalimin.
Kështu për disa minuta qarkullimi i automjeteve në lagjen Dardania u vështirësua derisa erdhi policia. Kjo situatë bëri që shoferët e të dy autobusëve të shoqërohen për në stacionin policor.
Televizioni ka kërkuar një përgjigje nga organet e rendit rreth asaj që është ndërmarrë për këtë rast, por gjatë të shtunës nuk ka pasur. Ndërkohë po me kompaninë “Erona” dhe me atë “Afërdita”, të dyja nga Lipjani, problem kanë edhe dy operatorë të tjerë nga Fushë Kosova.
Kjo situatë është nga 2006, prandaj edhe ankesat qenë të vazhdueshme drejtuar Komunës së Prishtinës e Ministrisë së Infrastrukturës, por pa rezultat.
Klani ka biseduar edhe me pronarin e linjës së autobusëve “Afërdita” i cili u zotua se që nga e hëna nuk do të hyjnë më në qytet, kurse nga “Erona Tours” nuk kanë dashur të flasin për rastin. E ndonëse telashet janë të kamotshme, Inspeksioni i Prishtinës tek këtë të premte zhvilloi një aksion për parandalimin e futjes brenda qytetit të operatorëve ndërurbanë që transportojnë udhëtarët nga komunat fqinje.