Live

AUV lëshon urdhëresë për kontrollin e të gjitha ngarkesave që hyjnë nga Brazili, shkak mishi me Salmonelë në Shqipëri

16:36 / 01 Prill 2025

Nga Kosova Live

Zëdhënësi i Agjenicisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, ka thënë se kanë lëshuar një urdhëresë për kontroll kufitar për të gjitha ngarkesat e mishit të pulës me orgjinë nga shteti i Brazilit, për shkak se një ngarkesë me fileto pule që ka hyrë nga ky shtet në në Shqipëri ka rezultuar me Salmonelë.

“Menjëherë pas publikimit të lajmit në Shqipëri, mbi dyshimet e ngritura për prezencë të ‘Salmonella Typhimurium në fileto pule të importuar nga Brazili’. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka lëshuar urdhëresë për kontrollin kufitarë, që të gjitha ngarkesat e mishit të pulës (fileto-breast) me origjinë nga Brazili të dërgohen për testim mikrobiologjik, duke përfshirë tipizimin për llojet Salmonella Typhimurium dhe Salmonella Enteritidis. Ngarkesat e mostruara sipas procedurës qëndrojnë të bllokuar deri në nxjerrje të rezultateve të analizave. Po ashtu në kontrollin e brendshëm bazuar në vlerësim të analizës se rrezikut, janë inspektuar disa pika shitëse, ku përveç kontrollit është bërë edhe marrja e mostrave”, ka thënë ai.

Thaçi ka treguar se deri më tani në Kosovë nuk është pranuar ndonjë shqetësim nga qytetarët për dyshimet e lidhura.

“Është kontaktuar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri, nga të cilët kemi marrë konfirmim se nuk ka pasur ri-eksporte të produkteve të dyshuara nga Shqipëria për në Kosovë. Nga të gjitha linjat e komunikimit me konsumator apo institucionet shëndetësore deri me tani nuk kemi pranuar ndonjë njoftim lidhur me dyshime se ndonjë qytetar ka pasur indikacione shëndetësore të lidhura me konsum të mishit të pulës. Për të siguruar konsumatorët tonë ne kemi ngritur masat e kontrollit në dy nivelet. Po merren mostrat për testim, në momentin qe lëshohen rezultatet nga laboratori, ato do të komunikohen për publikun”, ka potencuar Thaçi.

Ai tutje ka thënë se deri me tani nuk ka asnjë argument apo rezultat laboratorik qe dëshmon për prezencë të “Salmonella Typhimurium në fileto pule të importuar origjina Brazil, gjithçka është vetëm në nivelin e dyshimeve. AUV është duke ndërmarrë veprimet për të hequr dyshimet e ngritura.

Shpërndaje në

U Kopjua