Live

Avancimi i raporteve me NATO-n, Osmani: Çështje komplekse, shkak mosnjohja nga katër vendet anëtare

16:20 / 11 Mars 2025

Nga Kosova Live

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur rreth avancimit të raporteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës me NATO-n.

Në një konferencë për media të mbajtur bashkë me sekretarin e Aleancës Veriatlantike, Mark Rutte, ajo tha se lidhur me këtë duhet unanimitet brenda kësaj organizate.

Por, Osmani tha se bazuar në Kushtetutën e Kosovës, FSK-ja e ka mandatin e plotë për ta mbrojtur sovranitetin e vendit.

“Vendimet në NATO merren me unanimitet dhe janë katër vende anëtare që akoma nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës dhe kjo e shndërron çdo vendimmarrje rreth avancimit të raporteve mes FSK-së dhe NATO-s në një çështje jashtëzakonisht komplekse”.

“Megjithatë kjo nuk nënkupton që FSK-ja nuk e ka mandatin e plotë ashtu siç parashihet me Kushtetutën e Kosovës, dhe ligjet e miratura si forcë që e mbron sovranitetin e vendit”, tha ajo.

E para e shtetit shtoi se vendi është i përkushtuar për të kontribuar në misionet paqëruajtëse në botë.

Ajo tha se përveç marrëveshjeve dypalëshe me ShBA-të dhe Britaninë e Madhe, tani janë duke negociuar edhe me vendet e tjera.

Shpërndaje në

U Kopjua