Avokati Arianit Koci ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale për të mos i dhënë leje ish-presidentit Hashim Thaçi që të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçi, i cili ndërroi jetë pas një gjendjeje të rëndë shëndetësore në QKUK.
I ftuar në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Koci theksoi se beson në pafajësinë e Thaçit dhe se nuk dëshiron të deklarohet më shumë në këtë fazë, por shprehu shqetësimin e tij për trajtimin e ish-presidentit.
“Unë besoj në pafajësinë e Hashim Thaçit, pra kaq është prej anës sime. Unë jam i regjistruar si avokat në Hagë dhe në këtë fazë nuk dua të deklarohem më shumë. E di që do të lirohet, por më shqetëson ky trajtim jo i mirë në aspektin humanitar. Më shqetëson fakti pse një qytetar i Kosovës, leje anash që është president, të trajtohet në këtë formë, kur shteti i Kosovës e ka krijuar këtë gjykatë”, u shpreh Koci.
Ish-presidenti Hashim Thaçi kishte vizituar babain e tij disa ditë para ndarjes nga jeta, pas disa kërkesave dhe me leje të dhënë nga Dhomat e Specializuara. Megjithatë, atij nuk iu lejua pjesëmarrja në ceremoninë e varrimit, vendim ky që ka nxitur reagime të shumta.
Ndiqni deklaraten e plotë, në videon e mëposhtme: