Kërkesa e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që konsumatorët me mbi 50 punëtorë ose që kanë një qarkullim mbi 10 milionë euro të dalin në një treg të hapur energjetik, ka shkaktuar shqetësime të shumta në radhët e bizneseve të Kosovës.
Së fundmi ka reaguar Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila po e kundërshton vendimin e ZRrE-së.
”Për dijeninë e të gjithëve, jam kategorikisht kundër vendimit të ZRRE-së për përjashtimin nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike për bizneset me mbi 50 punonjës dhe ato me mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor, sepse ky vendim do të ketë pasoja fatale për ekonominë e vendit”, ka shkruar Bajrami.
Postimi i plotë:
Ndaleni këtë nonsens!
Për dijeninë e të gjithëve, jam kategorikisht kundër vendimit të ZRRE-së për përjashtimin nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike për bizneset me mbi 50 punonjës dhe ato me mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor, sepse ky vendim do të ketë pasoja fatale për ekonominë e vendit.
Por, duhet të ndalet mënjëherë maltretimi që po u bëhet të gjitha bizneseve në Kosovë lidhur me implementimin e këtij vendimi të ZRRE-së nga ana e KESCO-s.
Merreni me mend, KESCO, me vendim të ZRRE-së, ka kërkuar nga të gjitha bizneset aktive në Kosovë që të dorëzojnë një dëshmi nga ATK-ja për qarkullimin vjetor dhe numrin e punonjësve. Pra, edhe pse vendimi i ZRRE-së prek më pak se 1000 biznese (sepse janë rreth 700 që kanë mbi 50 punonjës dhe rreth 300 që kanë qarkullim mbi 10 milionë euro, dhe shumica e këtyre që kanë qarkullim mbi 10 milionë euro kanë mbi 50 punonjës), ZRRE dhe KESCO i ngarkojnë me procedura administrative rreth 99 mijë biznese.
A e din sa kohë dhe resurse kërkohën për një procedurë të tillë nga 99 mijë biznese, nga ATK-ja dhe KESCO?!
Të paditur!
Krejt kjo punë mund të kryhet pa shqetësuar asnjë biznes, me një kërkesë zyrtare nga KESCO drejtuar ATK-së për listën e bizneseve që kanë mbi 10 milionë euro qarkullim dhe listën e atyre që kanë mbi 50 punonjës. Lista do të publikohej së bashku me një njoftim dhe nuk ka nevojë për maltretimin e dhjetëra mijëra bizneseve, nuk ka ngarkesë të panevojshme, për stafin e ATK-së dhe nuk ka ngarkesë të panevojshme për KESCO-n. Ky quhet EFIKASITET.
S’di a keni dëgjuar ndonjëherë për këtë?