Kosova në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit ka rënë për 24 vende, ky është rezultat i qeverisë Kurti që gjatë tërë mandatit zgjodhi propagandën mbi transparencën, kontrollin mbi kritikën dhe frikën mbi lirinë, deklaroi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Në një postim në Facebook, ajo shprehet se kjo rënie është alarm për çdo qytetar që beson në demokraci.
Sipas raportit të Reporterëve pa Kufij, vendi ynë bie nga pozita e 75-të në pozitën e 99-të.
“Ky nuk është vetëm një indeks në një raport ndërkombëtar, është pasqyrë e katër viteve ku pushteti i Kurtit ka sulmuar gazetarët, ka denigruar mediat kritike dhe ka tentuar të heshtë fjalën e lirë”.
“Gjatë katër viteve të fundit gazetarët janë etiketuar si “bashkëpunëtorë të Serbisë”, janë përballur me padi, kërcënime, bojkote dhe fyerje të përditshme. Ky diskurs sot është bërë normë dhe është rezultat i sjelljes katërvjeçare të LVV-së në pushtet. Ky diskurs e kjo sjellje është brejtësi që po shkatërron themelet e demokracisë”, shtoi Bajrami.
Ajo vuri në pah se shteti ynë sot renditet afër me Mongolinë dhe Mozambikun dhe se kjo tregon se shoqëria jonë sot është më e frikësuar dhe më pak e lirë.
“Demokracia nuk ndërtohet duke heshtur gazetarët, ajo fillon pikërisht aty ku pushteti pyetet dhe përgjigjet”.
“Derisa LVV po mban peng institucionet, si vend po degradojmë në çdo sferë. Prandaj, është me rëndësi konstituimi i institucioneve që merren menjëherë me problemet e qytetarëve dhe të gazetarëve. S’ka demokraci aty ku s’ka media të lira”, shtoi tutje deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami në postimin e saj në Facebook, duke shtuar se duhen ndërmarrë dhe disa veprime urgjente, siç është depolitizimi i KPM-së dhe Hartimi i ligjit për KPM-në në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe shoqërinë civile.