Live

Banesat për të varfrit — të mbyllura me çelës, ndërsa nevojtarët mbesin në rrugë (VIDEO)

20:17 / 23 Prill 2025

Nga Kosova Live

Gjendja e mjerueshme jashtë këtyre banesave sociale në lagjen e njohur ”Kolovica” të Prishtinës shoqëron edhe hapësirat e brendshme të tyre — objekte që u ndërtuan me paratë e tatimpaguesve të Kosovës.

Ato ishin destinuar për familjet në nevojë dhe për kontribuuesit e luftës, por në adresë të Kiks Kosovë kanë mbërritur dyshime dhe sinjale serioze, që aludojnë se një pjesë e këtyre banesave është e pabanuar.

Madje, thuhet se ato janë ndarë për njerëz të pasur apo miq të zyrtarëve të Komunës së Prishtinës.

Ka dyshime edhe se disa prej tyre mund të jenë lëshuar me qira, gjë që përbën shkelje të ligjit.

Vizita derë më derë rezultoi ashtu siç edhe ishte menduar. Disa nga dyert në këtë kompleks ishin të mbyllura. E për të forcuar bindjen se ato banesa janë të pabanuara, dëshmojnë faturat e grumbulluara të energjisë elektrike jashtë derës.

Asnjë kilovat orë energji nuk është shpenzuar aty, sepse aty nuk jeton askush. Këtë e dëshmon edhe fakti se në fatura figuron vetëm TVSH-ja, pa asnjë konsum tjetër.

Mospraninë e nevojtarëve në banesat e ndara nga shteti e pohojnë edhe fqinjët, të cilët thonë se përfituesit ose banojnë në lagje të tjera, ose jetojnë jashtë shtetit.

Një banore e këtij kompleksi na tha se dera e mbyllur ku ndodheshim për vizitë, i përket dikujt që vjen vetëm gjatë festave, edhe pse më herët ai kishte përjetuar një fatkeqësi.

Gjendja ishte pothuajse e njëjtë edhe në kompleksin tjetër banesor, ku ndodhen banesat sociale dhe ato për veteranët e luftës.

Edhe pas disa tentimeve për të marrë një përgjigje nga banorët këtu, ata nuk pranuan të flasin — ndoshta nga frika e ndonjë hakmarrjeje, ndoshta nga mungesa e informacionit për komshinjtë dhe arsyet pse këto banesa nuk po shfrytëzohen.

Kiks Kosova provoi të marrë listat e përfituesve dhe aplikuesve për këto banesa, për të parë nëse ka pasur ndonjë keqpërdorim gjatë procesit të shpërndarjes

Mirëpo, Drejtoria e Mirëqenies Sociale në Prishtinë nuk na dha qasje në këto dokumente deri në publikimin e kësaj storje.

Shpërndaje në

U Kopjua