“Nuk kemi deri më tani informacione. Duke parë padrejtësitë që në vazhdimësi ka bërë Gjykata Speciale ndaj krerëve të UÇK-së, unë nuk besoj që ai nesër të lejohet në ceremoninë e varrimit”, tha Artan Behrami, ish këshilltar i Presidentit Thaçi lidhur me mundësinë e pjesëmarrjes së Thaçit në varrimin e babait të tij.
“Sot është një ditë pikëllimi për të gjithë bashkëpunëtorët e presidentit Thaçi, mbi të gjitha edhe për familjen Thaçi.
Sot ishim bashkë me kandidatin për kryeministër z.Bedri Hamzën për të shprehur ngushëllime për familjen e presidentit Thaçi”, tha Behrami.
Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare në gjendje të rëndë shëndetësore ka ndërruar jetë mbrëmjes e 16 marsit.
Nëse Thaçi do të lirohet për të marrë pjesë në varimin e babait, kanë folur nga Specialja.
Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në një përgjigje për Periskopi është shprehur se për një çështje të tillë do të vendosë Paneli përgjegjës.
‘’Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’u bëjnë kërkesa gjyqtarëve kompetentë për arsye detyruese humanitare. Gjyqtarët do të vendosin për kërkesa të tilla’’, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara.