Live

Belgjika ndalon përdorimin e TikTok në telefonat e punës të qeverisë federale

17:07 / 11 Mars 2023

Nga Kosova Live

Punonjësit e qeverisë federale belge nuk do të lejohen më të përdorin aplikacionin në pronësi kineze TikTok në telefonat e tyre të punës, tha të premten kryeministri belg Alexander De Croo.

De Croo tha se këshilli belg i sigurisë kombëtare kishte paralajmëruar për rreziqet që lidhen me sasitë e mëdha të të dhënave të mbledhura nga TikTok, e cila është në pronësi të firmës kineze ByteDance, dhe faktin që kompanisë i kërkohet të bashkëpunojë me shërbimet e inteligjencës kineze.

“Ky është realiteti”, tha kryeministri në një deklaratë. “Kjo është arsyeja pse është logjike të ndalohet përdorimi i TikTok në telefonat e ofruar nga qeveria federale. Siguria e informacionit tonë duhet të mbizotërojë”, shtoi tutje kryeministri, raporton Reuters, transmeton Telegrafi.

TikTok në një deklaratë tha se ishte i zhgënjyer me një vendim për të cilin kompania tha se bazohej në “informacion thelbësisht të gabuar”. Firma kineze tha se ruan të dhënat e përdoruesve në SHBA dhe Singapor dhe po ndërton qendra të dhënash në Evropë.

“Qeveria kineze nuk mund të detyrojë kombet e tjera sovrane të ndajnë të dhënat që ruhen në territorin e tyre”, tha një zëdhënës i kompanisë.

Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian muajin e kaluar e ndaluan përdorimin e TikTok në telefonat e stafit për shkak të shqetësimeve në rritje në lidhje me kompaninë dhe nëse qeveria e Kinës mund të mbledhë të dhënat e përdoruesve ose të avancojë interesat e saj.

Pekini ka mohuar rregullisht të ketë ndonjë qëllim të tillë. Qeveria rajonale flamande e Belgjikës të enjten njoftoi se do të kufizonte qasjen në TikTok në telefonat e stafit, dhe qeveritë e tjera rajonale u nxitën nga De Croo të zbatonin të njëjtat rregulla. /Telegrafi/

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...