Asamblisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Berat Lahu, ka bërë të ditur largimin e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, duke i akuzuar bashkëpartiakët për keqpërdorime dhe vendime që kanë dëmtuar qytetarët.
Në një deklaratë të publikuar në profilin e tij në Facebook, Lahu ka theksuar se pas 15 vitesh angazhim në këtë subjekt politik, ai nuk është më pjesë e Vetëvendosjes. Lahu kujtoi se angazhimi i tij nisi në vitin 2010, pas një ftesë nga lideri Albin Kurti, dhe se një nga momentet kulmore të kontributit të tij ishte suksesi i partisë në zgjedhjet lokale të vitit 2013 në Prishtinë.
Megjithatë, sipas Lahut, pas vitit 2022, ka pasur përplasje të thella brenda partisë, kryesisht për shkak të keqmenaxhimit të Qendrës së Prishtinës nga Arben Vitia. Ai ka theksuar se mosmbajtja e përgjegjësisë për humbjen e Vetëvendosjes në Prishtinë dhe rikandidimi i Vitiës për kryetar të qendrës ka nxitur largimin e tij nga struktura e partisë.
Një prej akuzave më serioze të Lahut është lidhur me çështjen e këmbimit të pronave në Badoc, për të cilën ai ka akuzuar drejtpërdrejt Gëzim Sveçlën për keqpërdorim të pozitës dhe lidhje me investitorë privatë. Lahu ka pretenduar se Sveçla mundësoi kalimin e këtij vendimi në Kuvendin Komunal, përkundër kundërshtimeve të tij.
“Kam kërkuar nga Kryetari i LVV, Albin Kurti, që të marrë masën e përjashtimit ndaj Gëzim Sveçlës për veprimet e tij korruptive, por në vend të kësaj, më përjashtuan mua,” ka shkruar Lahu në deklaratën e tij.
Ndërkohë, Lahu ka nënvizuar se do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e tij si asamblist i pavarur, duke premtuar se do të qëndrojë besnik angazhimeve të tij gjatë fushatës së vitit 2021 dhe do të luftojë kundër keqpërdorimeve në komunë.