Biblioteka e Kongresit Amerikan në Uashington i mban në katalogun e saj disa nga gazetat më të hershme në shqip, mes tyre edhe numrin parë të gazetës “Taraboshi”. “Taraboshi” është gazeta e parë e përditshme shqiptare, e botuar brenda Shqipërisë. Kopja që kemi doli më 26 shtator 1913.
Botuar në Shkodër dhe pagëzuar me emrin e malit që shtrihet në këmbët e Liqenit të Shkodrës, Taraboshi ishte më tepër se një gazetë lokale e përditshme. Ajo ishte dëshmitare e kohërave të mbarsura me ndryshime historike.
Në numrin e parë publicisti parashtron misionin e gazetës: “Gazeta hapet në faqe të parë me një vështrim të përgjithshëm mbi ngjarjet në Shqipëri. Flet për grupime që ndoshta nuk janë krejt dashamirëse ndaj Taraboshit. Flet për ata që e kanë përqafuar pavarësinë e Shqipërisë. Por edhe për të tjerë jashtë Shqipërisë, si për shembull serbët, që nuk e duan ekzistencën e Shqipërisë. Faqja e parë u bën thirrje lexuesve të mos shpërqendrohen duke u marrë me konfliktet e brendshme mes grupimeve brenda Shqipërisë.
Drejtori i Sektorit për Evropën në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Grant Harris, shprehet entuziast gazetën që ruhet në katalogun e letrave evropiane: “Gazeta dëshmon rrënjët. Kur ke dokumente të tilla fillestare të ndezin kuriozitet më të madh për të mësuar më shumë për atë periudhë”, ka thënë Harris.