Live

Blinken kundër thirrjeve për armëpushim të pakushtëzuar në Ukrainë

22:04 / 24 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mos mashtrohet nga thirrjet për një armëpushim të përkohshëm ose të pakushtëzuar në Ukrainë.

Këto deklarata ai i bëri para Këshillit të Sigurimit, që mbajti mbledhje për të shënuar njëvjetorin e nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Paralajmërimi i Blinkenit erdhi disa orë pasi Kina bëri thirrje për një armëpushim gjithëpërfshirës si pjesë e planit të saj 12-pikësh, që kryesisht përsërit qasjen e Pekinit që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.

“Çdo paqe që legjitimon marrjen e tokës nga Rusia përmes forcës do të dobësojë Kartën e OKB-së dhe do të dërgojë mesazh te të gjithë shtetet kudo në botë që duan të bëhen agresorë, se ata mund të pushtojnë shtete të tjera dhe të mos ndëshkohen”, tha Blinken.

Blinken tha po ashtu se Perëndimi ka shqetësime se Moska do të përdorte një armëpushim të mundshëm për të pushuar dhe për t’u riarmatosur.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 23 shkurt, me shumicë votash miratoi një rezolutë joobligative që bënte thirrje për “paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe afatgjatë” në linjë me Kartën e OKB-së. Kjo rezolutë sërish bëri thirrje që Moska të tërheqë trupat e saj dhe të ndalë luftimet.

Kina, që pretendon se ka qëndrim neutral për luftën, abstenoi dhe përfaqësuesi i saj tha para Asamblesë se “dërgimi i armëve [në Ukrainë] nuk do të sjellë paqe”.

Pekini ka thënë se ka “miqësi pa kufi” me Rusinë dhe ka refuzuar që ta kritikojë Moskën për pushtimin e Ukrainës.

Në Kiev, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mirëpriti disa elemente të propozimit kinez për armëpushim, por tha se ai nuk ishte plan konkret.

“Kina tregoi mendimet e saj. Besoj se fakti që Kina ka nisur të flasë për Ukrainën nuk është diçka e keqe. Por, pyetja është se çfarë vjen pas fjalëve. Pyetja është në hapat dhe ku do të çojnë ato”, tha Zelensky gjatë një konference për media.

Propozimi përkon në disa mënyra me ligjin ndërkombëtar dhe me integritetin territorial, tha Zelensky, duke shtuar se “le të punojmë me Kinën në këtë çështje”.

Zelensky po ashtu tha se ka disa pjesë që ai nuk pajtohet dhe i bëri thirrje Pekinit që të mos i ofrojë armë Moskës.

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Kinën se po e shqyrton mundësinë që të furnizojë me armë Rusinë dhe e ka paralajmëruar Pekinin kundër kësaj lëvizjeje./REL

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...